Konfindustria apel qeverisë: Siguroni rezervë 3-mujore për karburantet, frenoni rritjen e çmimeve
Thirrje qeverisë për rezervë 3 mujore dhe shmangie të spekulimeve.
Konfederata e Industrive të Shqipërisë ka kërkuar nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme ligjore për të përballuar pasojat e mundshme ekonomike nga përshkallëzimi i luftës në Gjirin Persik. Sipas reagimit zyrtar, tronditja e tregjeve ndërkombëtare të naftës pas sulmeve të përbashkëta SHBA–Izrael ndaj Iranit, që prej 28 shkurtit, rrezikon furnizimin global dhe mund të çojë në rritje të ndjeshme të çmimeve, efekt që pritet të reflektohet edhe në Shqipëri për shkak të varësisë nga importet.
Rezervë strategjike dhe kontroll i konkurrencës
Konfindustria kërkon fillimisht kontrollin e zbatimit të ligjit nga kompanitë e karburanteve për sigurimin e rezervës strategjike tre mujore. Gjithashtu, ajo thekson nevojën për masa rregullatore në drejtim të konkurrencës, me qëllim shmangien e rikthimit të spekulimeve me çmimet, siç ndodhi gjatë krizës së luftës në Ukrainë në vitet 2021–2022.
Paketë për lehtësim fiskal
Një tjetër kërkesë është përgatitja e një pakete ligjore që do të synojë uljen e barrës fiskale në rast të rritjes së fortë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sipas Konfindustrisë, rritja e çmimit të naftës në bursë tashmë ka dhënë shenja të menjëhershme dhe pasqyrimi në tregun vendas konsiderohet i pashmangshëm, ndërsa kohëzgjatja e konfliktit mbetet e paqartë.
Reagimi është firmosur nga Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë.